Ish-Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka dëshmuar sot në SPAK për çështjen e “21 Janarit”
Ish-Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka dëshmuar sot në SPAK për çështjen e “21 Janarit”, në cilësinë e personit që kishte dijeni për rrethanat e ngjarjes. Në kohën e protestës së vitit 2011, Meta ishte zv/kryeministër i dorëhequr i qeverisë “Berisha”.
Avokati i tij, Kujtim Cakrani, bëri të ditur se Meta ka deklaruar para hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit se, para zhvillimit të protestës, ishte vënë në dijeni nga shërbime të huaja, në rrugë konfidenciale, se demonstrata pritej të ishte e dhunshme dhe se nuk përjashtohej as skenari i vrasjeve.
Sipas Cakranit, këto informacione u ishin vënë në dispozicion edhe kryeministrit dhe presidentit të asaj kohe. Meta u pyet nga hetues të BKH-së, të caktuar nga prokurori i çështjes Alfred Shehu.
Ilir Meta kishte kërkuar vetë të dëshmonte për ngjarjet e 21 Janarit, duke u shprehur se dispononte informacion të vlefshëm që mund të ndihmonte në zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Prej më shumë se një viti, ish-kreu i shtetit ndodhet në paraburgim dhe përballet me disa akuza të ngritura nga SPAK.
Më herët, për demonstratën e 21 Janarit janë marrë në pyetje edhe figura të tjera politike, mes tyre Sali Berisha, Lulzim Basha dhe Bamir Topi.