Skema e re/ Nga 800-1800 lekë në muaj, detajet e bonusit të ri për pensionistët
Skema e re e shpërndarjes se bonusit të pensionistëve po aplikohet që nga muaji janar i këtij viti. Burimet nga Ministria e Ekonomisë pohuan se qeveria po shpërndan një fond total që luhatet midis 8 dhe 9 milionë eurove në muaj në formën e bonuseve direkte.

Ky mekanizëm është konceptuar si një formë rishpërndarjeje mujore për të amortizuar efektet e inflacionit, duke u fokusuar kryesisht te pensionet e ulëta dhe ato mesatare që ndodhen poshtë pragut kritik të konsumit.
Megjithatë gjendja e pensionistëve në Shqipëri mbetet një sfidë pasi rritja e kostove të jetesës po ecën me hapa shumë më të shpejtë se indeksimi i të ardhurave. Për një pjesë të madhe të të moshuarve, ky bonus nuk mundëson mbylljen e muajit pa mbështetje nga familjarët, pasi llogaritet se pensioni mesatar në vend mbulon vetëm rreth 30% të shpenzimeve reale mujore, sipas përllogaritjeve te organizatave ndërkombëtarë
Ndërkohë që Shqipëria sapo ka nisur zbatimin e një skeme bonusesh prej 800 deri në 1800 lekë (përafërsisht 8–18 euro) me pension mesatar rreth 200 euro në muaj, vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor po aplikojnë politika me agresive në këtë drejtim
Pensioni mesatar në Serbi pritet të arrijë në rreth 488 euro brenda vitit 2026, pas rritjeve të njëpasnjëshme dyshifrore, sipas burimeve zyrtare. Mali i Zi ka vendosur tashmë një dysheme mjaft të lartë për pensionin minimal, rreth 450 euro, duke u shkëputur ndjeshëm nga mesatarja rajonale.
Pensionistët me të ardhura të ulëta detyrohen të bëjnë zgjedhje të vështira mes ushqimit dhe medikamenteve. Mjekët pohojnë se shumë të moshuar i ndërpresin kurat për sëmundje kronike për të kursyer, çka çon në urgjenca mjekësore më të kushtueshme për shtetin.
Në kushtet kur pensioni nuk mjafton, barra financiare transferohet te fëmijët dhe familjarët. Paratë që mund të investoheshin për edukimin e fëmijëve apo zhvillimin e bizneseve, shkojnë për të plotësuar nevojat jetike të prindërve të moshuar.
Trajtimi i dobët financiar i pensionistëve ndikon edhe rritjen e informalitetit. Punonjësit aktuale kur shohin se kontributet e derdhura ndër vite nuk garantojnë një pleqëri të denjë, zgjedhin të mos paguajnë sigurime shoqërore, duke e futur vetën në skemën e pensioneve në pasiguri afatgjatë./Monitor.al