Shembet edhe ndërtesa e fundit në Theth, banorët u larguan pas telefonatës nga pronari

Shqierietnike
Ka përfunduar edhe shembja e godinës së fundit në fshatin turistik të Thethit, nga objektet pa leje të planifikuar nga autoritetet për t’u shembur.

Pronarëve u ishte dhënë koha deri në orën 18:00 të ditës së djeshme që strukturat t’i çmontonin vetë. Një gjë e tillë nuk ka ndodhur dhe fadromat e IKMT-së kanë ndërhyrë natën për ta shembur.

Fillimisht pati rezistencë nga banorët, ku u tentua t’i bllokohej rruga fadromës dhe më pas rreth 30 banorë u ngujuan brenda godinës për të mos lejuar shembjen e objektit, ku mes tyre kishte edhe gra edhe fëmijë.

Gjithsesi, rezistenca e tyre nuk zgjati më shumë se një orë dhe ata u larguan paqësisht, pas një telefonate me pronarin e objektit, i cili ndodhej në Valbonë me një grup turistësh.

Sipas informacione, ai u ka kërkuar familjarëve të tij dhe banorëve të tjerë që të largohen për të mos rrezikuar jetën e askujt, duke qenë se është edhe natë.

Banorët e tronditur paralajmërojnë për hapa ligjorë dhe nuk përjashtojnë protesta të reja kundër veprimeve të cilësuara prej tyre si të padrejta dhe brutale.

Ky aksion i IKMT-së, i cili ka zgjatur një javë, ka çuar në shembjen e mbi 100 ndërtimeve në zonën e Thethit.