Rritet tensioni në Ngushticën e Hormuzit, Teherani ngre “zonë kontrolli

në një përpjekje për të konsoliduar një formë të veçantë kontrolli mbi Ngushticën e Hormuzit, Teherani po tenton të imponojë në praktikë një regjim mbikëqyrjeje detare, duke zgjeruar pretendimet e tij edhe në zona të lidhura me infrastrukturat portuale strategjike të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Ky zhvillim po rrit shqetësimin si në komunitetin ndërkombëtar të transportit detar, ashtu edhe në tregjet energjetike, pasi bëhet fjalë për një nga korridoret më të rëndësishme globale të transportit të naftës.

Klima e pasigurisë që është krijuar në rajon ka detyruar shumë kompani detare të mbajnë qëndrim pritjeje, duke shmangur kërkesat për leje kalimi nga autoritetet iraniane, nga frika e sanksioneve të mundshme amerikane.

Lufta me Iranin, Vance pret në Uashington kryeministrin e Katarit
Deputeti iranian Saeedi deklaroi se rreth 1.500 anije ndodhen në pritje për të marrë miratim nga Teherani për t’u larguar nga zona, çka tregon përmasën e ndërprerjes në lundrim.

Sipas kompanisë së sigurisë detare Diaplous, trafiku tregtar është kufizuar pothuajse ekskluzivisht te anijet e vogla të ngarkesave të përgjithshme që shërbejnë për Iranin, kryesisht nën 75 metra gjatësi, si dhe te disa anije të vogla mallrash me flamur të Indisë dhe Komoreve.

Në të njëjtën kohë, Teherani publikoi udhëzime të reja, përmes të cilave synon të përcaktojë një “zonë kontrolli” detare në rajon.

Sistemi i ri iranian për përcaktimin e itinerareve detare rreth ishullit Larak ka rritur nivelin e mbikëqyrjes politike dhe ushtarake mbi kalimet tregtare përmes Ngushticës së Hormuzit.

Trupat e Gardës së Revolucionit Islamik të Iranit (IRGC) kanë udhëzuar anijet tregtare që dëshirojnë të kalojnë ngushticën të koordinohen me autoritetet iraniane dhe të ndjekin korridore të përcaktuara pranë ishullit Larak.

Sipas skemës së raportuar të lundrimit, anijet hyrëse drejt Gjirit kalojnë në veri të ishullit Larak, pranë vijës bregdetare iraniane, ndërsa anijet që dalin nga Gjiri kalojnë në jug të ishullit.

“Pse nuk po mbështesni SHBA-në kundër Iranit?”, Rubio nga Roma: Jemi të pakënaqur me Italinë
Kjo rregullore e zhvendos trafikun detar më afër ujërave që pretendon Irani dhe i jep IRGC-së mundësi më të mëdha për monitorimin e anijeve që kalojnë.

Irani ka përcaktuar gjithashtu zona të kontrollit dhe monitorimit të kufizuar mes korsive të lundrimit që mbikëqyren nga IRGC.

Kjo përbën një devijim nga sistemi tradicional i ndarjes së trafikut detar, i cili bazohej më shumë në korridore të lidhura me ujërat e Omanit dhe në skema ndërkombëtare të navigimit.

Megjithëse e drejta ndërkombëtare detare vazhdon të njohë të drejtën e kalimit përmes Ngushticës së Hormuzit, kritikët argumentojnë se sistemi i ri rrit kontrollin operacional të Iranit mbi anijet gjatë kalimit të tyre.