U shua një familje shqiptare, detaje tronditëse nga ngjarja në Itali! Policia gjeti tryezën shtruar, 4 anëtarët ishin bërë gati të hanin darkën!

Të tjera detaje tronditëse janë zbardhur në lidhje me tragjedinë në familjen shqiptare në Itali, ku katër anëtarët e saj, babai, nëna dhe dy fëmijët humbën jetën nga rrjedhja e gazit. Sipas informacioneve që raportojnë mediat italiane, referuar autoriteteve, tragjedia ka ndodhur rreth orarit të darkës.

Gjatë hyrjes në banesë, ekipet e shpëtimit dhe policia kanë gjetur tryezën të shtruar, çka tregon se familja ishte përgatitur për të ngrënë darkën.

Alarmin e ka dhënë pikërisht vëllai i kryefamiljarit, i cili njoftoi karabinierët. Pasi mbërritën në banesën trekatëshe dhe nuk morën asnjë përgjigje pas trokitjeve të shumta, ata u detyruan të thyejnë derën.

Brenda banesës, forcat e rendit u përballën me një skenë dramatike, katër trupa të pajetë të shtrirë në dysheme. Pak çaste më vonë, edhe familjari i pestë humbi ndjenjat për shkak të monoksidit të karbonit, nën sytë e karabinierëve, të cilët arritën të dalin në kohë nga banesa dhe të japin alarmin. Ai u transportua me urgjencë në spitalin e Cisanellos.

Në vendngjarje mbërriti edhe kryebashkiaku i Porcarit, Leonardo Fornaciari, i cili shprehu tronditje dhe dhimbje të thellë për një tragjedi që, sipas tij, ka prekur mbarë komunitetin e këtij qyteti të vogël, vetëm pak kilometra larg Luccës.