Pianistja 23-vjeçare nga Kosova, Anila Aliu, ka bërë krenarë shqiptarët kudo në botë
Pianistja 23-vjeçare nga Kosova, Anila Aliu, ka bërë krenarë shqiptarët kudo në botë, duke fituar disa nga çmimet më prestigjioze në konkurse ndërkombëtare të muzikës klasike. Së fundmi, ajo është shpallur fituese e çmimit kryesor në një konkurs të nivelit të lartë në Tajlandë, ku konkurroi me pianistë nga e gjithë bota.
Në një lidhje për “ABC e Mëngjesit”, Anila tregoi se ky sukses është rezultat i një pune shumëvjeçare dhe kalimit të disa raundeve të vështira që nga viti 2020. Ajo theksoi se konkurenca ishte jashtëzakonisht e fortë, me pjesëmarrës nga të gjitha moshat dhe nga vende të ndryshme, por falë përkushtimit arriti të triumfonte.
Pianistja foli gjithashtu me krenari edhe për çmimin e fituar në Beograd, duke theksuar se në muzikën klasike nuk ka rëndësi prejardhja, por vetëm talenti dhe ajo që ofron në skenë.
“Suksesi im më bën të ndihem e vlerësuar si artiste, sepse në këtë botë nuk ka rëndësi se nga vjen, por çfarë dhuron me performancën tënde”, u shpreh ajo.