DIVA/ Si do të plotësohet për herë të parë për të përfituar kompensimin për arsimin
nga data 22 Janar është hapur sistemi e-Tax për plotësimin dhe dorëzimin e Deklaratës Vjetore të të Ardhurave Individuale.
Risia e këtij viti është plotësimi i DIVA-s edhe nga individë që nuk e kanë detyrim plotësimin, por që kanë fëmijë të moshës nën 18 vjeç dhe do të përfitojnë kompensimin për arsimin nga rillogaritja e tatimit, pas zbritjeve të shpenzimeve me vlerë 48 mijë lekë në vit (kjo përfitohet nga çdo individ pavarësisht nivelit të të ardhurave) dhe 100 mijë lekë në vit (vetëm nga individët me të ardhura deri 1.2 mln lekë në vit).

Monitor sqaron hap pas hapi të gjithë procedurat që duhet të ndjekin individët që kërkojnë të plotësojnë DIVA-n për herë të parë me qëllim përfitimin e kompensimit.
Vlera e kompesimit do të llogaritet automatikisht nga sistemi e-Tax dhe nuk do të ngarkohet asnjë dokumentacion. Dokumentacioni do të ruhet nëse do të kërkohet nga tatimet.
Në fund të plotësimit të deklaratës kush do të rezultojë me tatim të mbipaguar, që është kompensimi, do të duhet të dorëzojë një kërkesë në Drejtoritë Rajonale të Tatimeve për t’iu kthyer mbrapsht. Procedurat për plotësimin e kërkesës pritet të sqarohen nëpërmjet një udhëzimi nga tatimet.
Si plotësohet për herë të parë DIVA
Për individët që do të deklarojnë DIVA për herë të parë fillimisht duhen të regjistrohen elektronikisht në https://www.tatime.gov.al
Për të dyja kategoritë si individët që plotësojnë për herë të parë DIVA dhe ata që e kanë plotësuar më parë në faqen e tatimeve do të zgjidhin moduli e-Shërbime.
Më do të logohet te rubrika INDIVID duke vendosur kredencialet, numrin personal të identifikimit dhe fjalëkalimin, nëpërmjet e-Albania.
Në menunë Deklarata do të përzgjidhet rubrika Tatimi mbi të ardhurat personale, ku do të klikohet mbi tab Krijo deklaratë, duke klikuar mbi periudhën 2025, janar-dhjetor.
Menjëherë pas kësaj do të shfaqet Deklarata Individuale e të Ardhurave.
Deklarata DIVA 2025, gjenerohet e paraplotësuar automatikisht me të dhënat e të ardhurave vjetore bruto nga pagat apo shpërblimet nga marrëdhëniet e punësimit për individët, si edhe me përllogaritjen e Tatimit mbi të ardhurat nga Punësimi.
Afati për plotësimin dhe dorëzimin e DIVA është deri më 31 Mars 2026.
Detyrimin për plotësimin e Deklaratës Vjetore të të Ardhurave e kanë individët me të ardhura mbi 1.2 mln lekë në vit, të dypunësuarit dhe ata që kanë krijuar të ardhura të padeklaruar mbi 50 mijë lekë në vit nga qiraja, honorarë etj.
Risi janë plotësimi i DIVA-s nga individët që kërkojnë të përfitojnë kompensimin e fëmijëve.
Pra me qëllim përfitimin e kompensimit për arsimin e fëmijëve DIVA mund të plotësohet edhe nëse nuk ke detyrimin, pra edhe nga individë me të ardhura nën 1.2 mln lekë në vit.
Kompensimi për fëmijët do të përfitohet nga individët që do të dalin me tatim të mbipaguar, pra nga rillogaritja e tatimit pas zbritjes së shpenzimeve nga baza e tatueshme.
Diferenca e tatimit vjetor të paguar gjatë 2025, nga rillogaritja e tatimit, pas zbritjes së bazës së
tatueshme të shpenzimeve 48 mijë lekë në vit, pavarësisht nivelit të ardhurave dhe 100 mijë lekë nëse të ardhurat janë deri në 1,2 mln lekë, do jepet si kompensim për fëmijët.
Vlera e kompensimit llogaritet automatikisht nga sistemi. Sistemi e-Tax, e llogarit automatikisht vlerën e kompensimit, pasi bëhet deklarimi I të ardhurave, edhe për ata individë që se kanë detyrimin ta bëjnë. Në total administrata tatimore llogarit se fondi për kompensimin do të jetë me vlerë 15 mln Euro.