Mes dy zgjedhjeve”, Artan Hoxha paralajmëron për fatin e Ballukut

Gazetari Artan Hoxha ka deklaruar se zëvendëskryeministrja Belinda Balluku ndodhet përballë një situate të pakthyeshme, teksa hetimet e SPAK ndaj saj, sipas tij, janë vetëm në fazën fillestare. Hoxha i bëri këto komente i ftuar në një emision televiziv, ku analizoi zhvillimet e fundit politike dhe hetimore në vend.

Sipas gazetarit, përmasat e çështjes janë aq të mëdha sa Balluku nuk mund të fshihet dhe askush nuk merr përsipër ta mbrojë. “Balluku nuk ka ku të fshihet, nuk e merr njeri përsipër ta fshehë. Është kaq e madhe sa kudo që shkel ajo kërcet. Ka hyrë elefanti në dyqanin e qelqurinave,” u shpreh Hoxha.

Ai theksoi se ajo që është bërë publike deri tani përfaqëson vetëm fillimin e hetimeve, ndërsa zhvillimet e ardhshme pritet të jenë edhe më të rënda. Hoxha përmendi si shembull kontratat e termocentraleve lundruese në Vlorë, duke theksuar se vetëm qiraja e tyre arrin në rreth 90 mijë euro në ditë. “Nuk kemi shkuar ende aty,” tha ai, duke lënë të kuptohet se hetimet mund të zgjerojnë ndjeshëm objektin e tyre.