Rriten pagat nga 1 janari! Ja sa do të marrin punonjësit dhe kush përfiton

Nga 1 janari i vitit të ardhshëm, të gjithë punonjësit e administratës shtetërore do të përfitojnë një rritje page prej 2.5%, e njëjtë me indeksimin që morën pensionistët në tetor.

Sipas burimeve zyrtare, kjo politikë do të vijojë çdo vit, në mënyrë që pagat të përshtaten me rritjen e çmimeve dhe inflacionin.

Qeveria ka parashikuar për këtë qëllim një fond prej 2.32 miliardë lekësh, që përbën rreth 0.2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB).

Megjithatë, pas objektivit të shpallur më herët për “pagë mesatare 900 euro”, duket se ekzekutivi nuk ka planifikuar reforma të reja madhore në këtë drejtim për vitin 2026. Në projektbuxhetin e ri, nuk figuron asnjë fond për rritje të mëtejshme pagash, përtej indeksimit të zakonshëm.

📉 Aktualisht, paga mesatare në Shqipëri mbetet rreth 3.6 euro për orë pune, më e ulëta në rajon, me përjashtim të Kosovës.

Në sektorin privat, situata pritet të përmirësohet disi, pasi nga 1 janari 2026, paga minimale do të rritet në 50 mijë lekë, nga 40 mijë që është aktualisht.

Ky premtim i bërë gjatë fushatës elektorale të socialistëve është përfshirë tashmë në programin zyrtar të qeverisë dhe pritet të zbatohet në afatin e parashikuar.

Në listën e përfituesve nga kjo rritje futen të gjithë punonjësit e administratës, përfshirë edhe figurat e larta të shtetit. Paga e Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, që aktualisht është 425 mijë lekë në muaj, do të indeksohet sipas përqindjes së përcaktuar nga Këshilli i Ministrave.